49000 L

Vepra e plotë e Kadaresë në shtatë vëllime

Vepra e plotë e Kadaresë në shtatë vëllime

VERSIONI PËRFUNDIMTAR DHE REFERENCIAL I VEPRËS SË PLOTË, I BOTUAR NËN KUJDESIN E AUTORIT

Peshë 13 g/kg

Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime

Shënim i botuesit

Në vitet 2007-2009, “Onufri” e botoi në njëzet vëllime krejt krijimtarinë e deriatëhershme të Kadaresë. Për fatin e mirë të lexuesit, përgatitja e përmbledhjes u realizua nën kujdesin e vetë autorit. Vetëm një pjesë e papërfillshme, kryesisht shkrime të rinisë së hershme apo krijime që, sipas gjykimit të tij, nuk kishin cilësinë e duhur artistike, u lanë jashtë kolanës.
Ideja për një version të ri prej shtatë vëllimesh të veprës së plotë u diskutua pikërisht më 28 nëntor 2012, kur Kadareja shfletoi për herë të parë arkivin personal, në apartamentin e tij në Tiranë. Edhe numri shtatë i volumeve u zgjodh nga vetë autori. Fillimisht u mendua që e gjithë vepra e plotë prej njëzet vëllimesh të përmblidhej në gjashtë volume, ndërsa i shtati të ishte arkivi i pabotuar. Por Kadareja u tregua rreptësisht përzgjedhës me krijimtarinë e pabotuar, sikundër do të shprehej vetë, diku, vite më vonë: “Romanet e mia kishin qenë diçka e gabuar, përderisa kishin lindur jashtë kohës së lejuar për letërsi.”
Kadareja veçoi nga arkivi një krijim të cilin e pagëzoi si zanafillën e veprës së tij letrare. Ishte novela “Në dheun e panjohur”, e cila në faqen e parë mban datën 8 tetor 1953, duke përkuar këtë vit me shtatë dekada krijimtari të autorit. Meqenëse për këtë botim është ndjekur kriteri kronologjik, vëllimi i parë hapet pikërisht me këtë novelë.
Me romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës” dhe krijimet e pesëmbëdhjetë viteve të fundit, si “Mosmarrëveshja”, “Mëngjeset në Kafe Rostand (Motive të Parisit)”, “Kukulla”, “Kur sunduesit grinden” etj., ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në shqip dhe në gjuhët e huaja.

Nuk ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos, gjuhësisht. Gjatë tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek nga afër ndryshimet, qortimet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar “Juvenilja”, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.

Bujar Hudhri
Tiranë, maj 2023

Imazhet e kolanës

Title

Go to Top